Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar veprimtarin e madh të çështjes kombëtare, Adem Demaçin, me rastin e përvjetorit të pestë të kalimit në amshim, transmeton Fol Drejt.
Haradinaj ka vlerësuar se veprimtari Demaçi nuk u ndal asnjëherë së angazhuari për realizimin e idealeve për të cilat kaloi tri dekada në burgjet famëkeqe serbe.
“Në 5-vjetorin e kalimit në përjetësi, kujtojmë sot veprimtarin e dalluar të çështjes kombëtare, kolosin shqiptar, Adem Demaçi.
Secili vit i jetës së bacës Adem, ishte frymëzim për brezat e sakrificës, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai nuk u ndal asnjëherë së angazhuari për realizimin e idealeve për të cilat kishte kaluar tri dekada në burgjet famëkeqe serbe.
Baca Adem do të mbetet përgjithmonë në kujtesën historike si njeriu i hekurt që nuk e mposhtën as torturat më mizore të regjimit serb.
Mirënjohës përjetë rrugëtimit të tij jetësor në shërbim të atdheut!”, ka shkruar Haradinaj për Demaçin./FolDrejt/