Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është aprovuar udhëzuesi për mbrojtjen e personave që raportojnë në interes publik, detyrimet e punëdhënësve për mbrojtjen e sinjalizuesve nga aktet e dëmshme dhe të drejtat e sinjalizuesve për mbrojtje gjyqësore.
Ministrja tha se ky udhëzues jep udhëzime për krijimin dhe mbajtjen e një sistemi të brendshëm konfidencial dhe të sigurt të menaxhimit të sinjalizimit në institucione, përcjell Fol Drejt.
“Ofron udhëzime për mbrojtjen e sinjalizuesve nga veprimet e dëmshme, duke përfshirë krijimin dhe mirëmbajtjen e një mekanizmi për t’iu përgjigjur ankesave për veprime të dëmshme.
Ofron udhëzime për gjykatat dhe gjyqësorin për shqyrtimin e rasteve që përfshijnë sinjalizues ose persona të lidhur me sinjalizues”, u shpreh ajo.
Ministrja e Drejtësisë tha se miratimi i këtij udhëzuesi plotëson edhe më tutje legjislacionin për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit./FolDrejt/