Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vizituar gratë e Krushës së Vogël, të cilave u ka premtuar angazhim institucional për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
“Krusha e Vogël zë vend të madh në historinë tonë
Në Krushë të Vogël takuam gratë e Krushës.
Më 26 mars nga forcat serbe janë vrarë 113 qytetarë të pafajshëm, ku më i riu ishte 12 vjet.”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Haxhiu është pritur nga Merita dhe dy djemtë e saj, Getoari dhe Ermali të familjes Shehu. Ajo tha se mes kujtimesh e emocionesh, ka dëgjuar rrëfimet për bashkëshortin e saj, i cili është në mesin e 59 personave të cilët janë të zhdukur me forcë.
“Ndërsa, Nexhmije Batusha e cila ka të vrarë djemtë dhe bashkëshortin, jeton e vetme në Krushë. Të dy familjet si dhe shumë të tjerë në Krushë ende jetojnë pa ditur ku janë eshtrat e familjarëve të tyre.”, shtoi Haxhiu.
Ministrja theksoi se angazhimi institucional do të vazhdojë në mënyrë që të zbardhet fati i të zhdukurve dhe që kriminelët të dalin para drejtësisë e pritja e grave të Krushës së Vogël të marr fund. /FolDrejt/