Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në facebook, ka kritikuar menaxhimin e buxhetit nga ana e Qeverisë, duke e konsideruar si dështim total.
“Dështim total në menaxhimin e buxhetit në kohën e krizës më të madhe ekonomike që kemi parë në dekada.” – nis postimin e tij Hoti.
Sipas Hotit, për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve kapitale, ekonomisë së Kosovës sot i mungojnë rreth 200 milionë euro në qarkullim.
“Ka ministri, siç është Ministria e Industrisë, me vetëm 5% realizim të shpenzimeve kapitale, apo Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave me 6%, Ministria e Ekonomisë me 13%, Ministria e Mbrojtjes me 15% etj.” – ka shkruar Hoti.
“Paratë e gatshme në llogarinë e Qeverisë kanë arritur në 678 milionë euro, dyfish më shumë sesa që është e nevojshëm. Rrjedhimisht, mund të ishte pezulluar akciza në naftë, si dhe përgjysmuar TVSH-ja në naftë dhe në mallra ushqimore, pa shkaktuar asnjë vështirësi buxhetore për Qeverinë.
Sikur të mos mblidheshin këto mjete vetëm sa për t’i mbajtur në llogari, sot ekonomia do të kishte edhe 300 mil euro në qarkullim. Këto mjetet tanimë janë zhvlerësuar nga infalcioni për rreth 20%, që është rreth 136 mil euro.”, shton tutje.
Krejt në fund, sipas Hotit, Qeveria as nuk po i shpenzon mjetet e mbledhura, por as nuk ua lë qytetarëve.
“Pasojat po i bartim të gjithë. Sot në ekonomi ka rreth 500 milionë euro më pak për shkak të paditurisë.”, përfundon në postimin e tij Hoti./FolDrejt/