Pas zhvillimeve në veri dhe marrëdhëniet Kosovë-SHBA, ka reaguar edhe ish-kryeministri e njëherit deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.
Përmes një postimi në facebook, Hoti ka konsideruar se meqë kësaj radhe nuk i morëm parasysh këshillat e aleatëve, Kosova ka rënë në grackën e Serbisë.
“Kur aleatët nuk na mbështesin, pasojat nuk i bartin vetëm ata në krye të institucioneve. Pasojat i bartim të gjithë.
E lexova shqetësimin e Daniel Serverit se: “Kryeministri i Kosovës e ka idenë se çfarë do dhe shpreson se ai do t’i përballojë pasojat”. Unë e ndaj shqetësimin e tij. Por problemi është se pasojat bien mbi përpjekjet tona, paqësore e luftarake, dhe rezultatet që kemi arritur deri tani në fuqizim, konsolidim e anëtarësimin e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.”, është shprehur Hoti.
Sipas tij duhet konsensus nacional për t’u përballur me situatën e krijuar, mirëpo Hoti deklaron se nuk mund dhe nuk duhet rreshtuar prapa atyre që nuk kanë ide se si do të menaxhohet dhe përmbyllet kjo situatë komplekse në interesin e Kosovës.
“Sigurisht se kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së Serbisë tek komuniteti serb në Kosovë. Por kësaj radhe, për shkak se nuk i morëm parasysh këshillat e aleatëve, Kosova ka rënë në grackën e Serbisë.”, përfundon Hoti./FolDrejt/