Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti aktual nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar në lidhje me propozimin franko-gjerman, duke e kritikuar qeverinë e Kosovës për mostransparencë.
Përmes një postimi në facebook, ai në anën tjetër ka ngritur lart opozitën duke vlerësuar se Kosova nuk ka pasur asnjëherë opozitë më mbështetëse për dialogun se sa tani, transmeton Fol Drejt.
“Debati formal për dialogun duhet të sillet në Kuvend për të siguruar transparencën për këtë proces të rëndësishëm dhe për të ndërtuar konsensusin politik.
Deri tani kemi parë zero transparencë nga Qeveria ndaj Kuvendit të Kosovës, si dhe publikut në përgjithësi, për propozimin franko-gjerman.”, është shprehur Hoti në facebook.
“Nëse Qeveria vlerëson se ky propozim është bazë e mirë për të lëvizur më lehtë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe njohjes reciproke, do të duhej të informohej Kuvendi dhe publiku në mënyrë që të sigurohej konsensusi politik dhe shoqëror. Për më tepër, informimi i Kuvendit nuk është në diskrecion të Qeverisë, por është obligim kushtetues i Qeverisë ndaj Kuvendit pavarësisht se çfarë mendon Qeveria për këtë propozim.
Është e domosdoshme që debati formal mes forcave politike për dialogun të zhvillohet në Kuvend. Vetëm kështu (1) sigurohet transparenca ndaj publikut, (2) përmbushet obligimi kushtetues për raportim dhe (3) ndërtohet konsensusi politik e shoqëror.”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/