Deputeti nga radhët e LDK-së ka vazhduar me kritikat e tij drejtuar dy krerëve të lartë të shtetit të Kosovës, presidentes së vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, duke u thënë se duhet të kenë forcë morale të marrin përgjegjësi edhe kur dështojnë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se është në mbrojtje të interesit shtetëror, edhe nëse kjo do t’i kushtonte politikisht Hotit e partisë së tij.
“Nuk kam pasur asnjëherë mëdyshje se duhet rreshtuar në mbrojtje të interesit të shtetit të Kosovës, e jo në mbrojtje të interesave partiake e individuale duke mashtruar qytetarët.
Njerëzit presin nga Qeveria vendime të matura e politika të mira që rrisin punësimin e pagat, që përmirësojnë arsimin e shëndetësinë. Presin veprime shtetërore që forcojnë lidhjet tona me ShBA-në e BE-në që sa më parë të bëhemi anëtar të BE-së e NATO-s.. “, është shprehur Hoti.
“Njerëzit nuk duan konfrontim me aleatin që siguron ekzistencën e shtetit të Kosovës. Qytetari i Kosovës meriton t’i thuhet e vërteta. Secili politikan që ka përgjegjësi institicionale duhet të ketë forcë morale të marrë përgjegjësi edhe kur dështon, siç është rasti aktualisht me binomin Kurti-Osmani.”, ka shtuar Hoti më tej./FolDrejt/