Deputeti nga radhët e LDK-së dhe njëherit ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ka shprehur shqetësimin lidhur me rreziqet që u ekspozohen gazetarët kosovarë gjatë përditshmërisë.
“Sot, shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Qëllimi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e lirisë së shtypit dhe të ndihmojë në promovimin e një mjedisi ku gazetarët dhe të gjithë njerëzit të shprehin mendimet dhe idetë e tyre në mënyrë të lirë dhe të hapur, pa frikë nga censura, kërcënimi ose ndonjë forme tjetër të kufizimit të lirisë së tyre.
Media duke qenë edhe pushteti i katërt, përpjekja për kontrollë nga cilido pushtet cenon rëndë rendin demokratik. Ndaj, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një mundësi reflektimi për të ngritur zërin dhe për të bërë thirrje në mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e lirisë së shtypit dhe mendimit kritik.”, është shprehur Hoti në një postim në Facebook.
“Përditshmëria e jetës së gazetarëve në Kosovë është e rrezikuar nga sulmet e kërcënimet e vazhdueshme, andaj LDK kërkon që rastet e sulmeve ndaj tyre të trajtohen me prioritet të lartë nga sistemi i drejtësisë.
LDK është mirënjohëse dhe falënderuese për përkushtimin e gazetarëve që edhe përkundër presioneve e kërcënimeve, vazhdojnë të palëkundur të hulumtojnë, të shkruajnë e të thonë të vërtetën.”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/