Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar donacionin me kamera trupi që sot ShBA i ka dorëzuar Policisë së Kosovës, transmeton Fol Drejt.
Duke treguar vlerën milionëshe të këtij donacioni, Hovenier ka thënë se ky donacion dëshmon përkushtimin e ShBA-ve për policinë e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës.
“Sikurse tha drejtori i përgjithshëm, ato do ta rrisin besimin e publikut në polici, do të ofrojnë dëshmi të paanshme të ndërveprimeve të policisë dhe komuniteteve, si dhe do të përmirësojnë ndjeshëm llogaridhënien”.
“Kamerat e trupit tashmë janë pjesë standard e uniformës së një o polici në shumë juridiksione në ShBA sepse ato parandalojnë sjelljet e padëshirueshme dhe i bëjnë rrugët më të sigurta si për policët, ashtu edhe për publikun”, ka thënë Hovenier.
“Me krenari mund të themi se Shtetet e Bashkuara kanë bërë një investim të madh prej më shumë se 1.8 milion dollarësh në këtë program që është programi i parë i kamerave të trupit në Kosovë”.
“Ky donacion është edhe një dëshmi e përkushtimit të përbashkët që kemi me policinë e Kosovës ndaj mbështetjes dhe ofrimit të shërbimeve transparente dhe llogaridhënëse për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shtuar Hovenier më tej./FolDrejt/