Në një intervistë Hyseni e sheh politikën e jashtme si të dështuar, ku fajtorë kryesor i bën presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Gërvalla me ç’rast thotë se Kosovën po e paraqesin si vend të korruptuar e të krimit.
Hyseni thotë se marrëveshjet që nuk janë zbatuar nuk duhet të jenë pjesë e pakos së përgjithshme e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Teksa ka folur për përfshirjen e SHBA-së dhe kërkesën për themelimin e asociacionit, Hyseni e konsideron si këshillë dashamirëse.
Hyseni apelon që kërkesa e partnerëve ndërkombëtar të mos quhet si presion. Ai thotë se e njëjta mund të konsiderohet edhe në kohën kur NATO ka bombarduar mbi Serbinë.
“Asociacioni është pjesë e Kushtetutës, pra pako e Ahtisarit, mbi të cilën Kosova e ka shpallur Pavarësisë. Pra është çështje e hartimit të statutit dhe aty natyrisht do të kërkohet kreativitet nga institucionet e Kosovës, nga ekspertët që do të merren me atë punë në mënyrë të sigurohemi që Asociacioni nuk ndërhynë në asnjë mënyrë, në asnjë nivel të qeverisjes në Kosovë e sidomos duhet të sigurohemi që Asociacioni nuk duhet të përbëjë një rrafsh të tretë të Qeverisë. Dhe kjo besoj që është lehtë e arritshme.
Gjithsesi mendoj dhe kam një bindje të thellë dhe këtë qëndrim kam mbajtur unë si kryenegociator që as Asociacioni dhe asnjë marrëveshje tjetër që nuk është zbatuar deri më tani duhet të zbatohet vetëm si pjesë e pakos së përgjithshme që i bie si pjesë e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme ndërkombëtarisht të garantuar që përbën njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, ka thënë Hyseni për Ekonomia Online.
“Në rrethanat kur Kosova do ta njoh Serbinë si shtet dhe Serbia do ta njoh Kosovën si shtet unë nuk e shoh aspak problematike dhe shqetësuese çështjen e asociacionit prandaj unë nuk e quaj presion ndërkombëtarë. Më parë e quaj një këshillë dashamirëse nga partnerët kyç të Kosovës në rend të parë SHBA-ja po pse jo edhe BE dhe ne duhet të mësohemi përfundimisht që të mos e shqiptojmë këtë fjalën presion aq lehtë edhe aq pa e menduar.
Sipas kësaj logjike del që ka qenë presion ndërkombëtar ndaj nesh edhe kur bota ka luftuar për ne, kur NATO ka bombarduar Serbinë. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në artikulimin e qëndrimeve me botën sidomos me partnerët tanë. Duhet të jemi të kujdesshëm shumë me gjuhën që e përdorim në atë komunikim në mënyrë që të mos lëmë përshtypjen që duam të izolohemi në politikat tona të jashtme. Kosova nuk ka fuqi të bëjë politika të pavarura të jashtme, s’do ta ketë kurrë”, ka thënë ai.
Tria institucionet kryesore për politikën e jashtme, Hyseni i quan anemike, teksa thotë se Osmani, Kurti e Gërvalla, Kosovën në botë po e paraqesin si vend të korruptuar e të krimit, teksa i kundërshton ato.
“Nuk e di a do të ngec, sidoqoftë ka ngecur tani për tani dhe kjo vjen kryesisht si rezultat kam frikë unë nuk do të doja të ishte ashtu si mendoj unë vjen si rezultat i një politike të jashtme që është krejtësisht anemike, krejtësisht fëmijërorë e të tria institucioneve kyçe të Kosovës që e bëjnë politikën e jashtme, presidentja, kryeministri dhe ministrja e jashtme. Për gjatë një viti unë nuk kam parë që ata të kenë bërë diçka tjetër përpos përpjekjeve shumë të habitshme, të pa shpjegueshme që Kosovën në botë ta paraqesin si vend të korrupsionin, të krimit dhe duke u përpjekur që Kosova të definohet si e tillë. Në kohën kur të gjithë e dimë besoj që nuk është ashtu”, u shpreh Hyseni.