Konvertimi i veturave të shtetasve serbë në targat RKS u ka kushtuar me dëme materiale pronarëve të tyre.
Që nga fillimi i shtatorit, kur edhe u fuqizua vendimi me të cilin kërkohej konvertimi i targave ilegale në ato RKS, nuk kanë munguar ‘kërcënimet’ përmes djegies së veturave.
Pas rastit të mbrëmshëm, që u dënua edhe nga zyrtarë të SHBA-ve, drejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, ka thënë për klankosovën se deri tash, që nga shtatori 5 vetura kanë përfunduar të djegura.
“Nga fillimi i shtatorit deri sot janë djegur katër vetura, pesë me rastin e mbrëmshëm”, ka thënë Hoti për klankosovën, transmeton Fol Drejt.
Krahas rastit të mbrëmshëm, dy vetura u dogjën javën që shkoi në Leposaviq, edhe ato të konvertuara në targat RKS.
Edhe në Zveçan një qytetari serb iu dogj depoja pasi e kishte konvertuar në RKS veturën e të birit.
E për të njëjtat arsye, edhe në Zubin Potok, mesnatën e së mërkurës ishte djegur një veturë, që dyshohet se ishte në pronësi të një gazetari serb./FolDrejt/