Para pak minutash është dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i dyshuari Milun Milenkoviq- Llune, i cili u arrestua të martën për sulmet ndaj KFOR-it.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, pritet të fillojë në ora 14:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.
PSRK kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj serbit Milun Milenkoviq, i cili u arrestua dje në veri
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Milun Milenkoviq- Llune, i cili u arrestua të martën për sulmet ndaj KFOR-it.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Ekrem Lutfiu, zëdhënës i PSRK-së.
Ndryshe, lajmin për arrestimin e të dyshuarit Milenkoviq, e kishte konfirmuar dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, kishte shkruar ndër të tjera Sveçla.
Gjatë dhe pas arrestimit të serbit, ishin lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/