Për shkak të rritjes së Turbullirës, 100-200 NTU në shumicën e resurseve sipërfaqësore, si rezultat i reshjeve të shtuara dhe prurjeve të mëdha nga zonat fushore si dhe shkarkimi i ujërave drenuese, edhe sot fabrikat e trajtimit të ujit punojnë me kapacitet të zvogëluar.
Si pasojë e mungesës së ujit cilësor për trajtim, aktualisht gjendja është e njëjtë dhe pa furnizim me ujë – 24 orë, vazhdojnë edhe sot në shumicën e Zonave të furnizimit në tërë vendin, njofton IKShPK, transmeton Fol Drejt.
Pritet që në orët e pasdites të ulet turbullira të paktën deri në 50 NTU me qëllim që të mundësohet trajtimi me kapacitet optimal për furnizim me ujë.
Në zonat me resurse nëntokësore edhe sot vazhdon monitorimi dhe ekipet kujdestare raportuan për gjendjen dhe mbrojtjen e puseve nëntokësore. Gjendja e cilësisë së ujit është e mirë dhe e monitoruar me kujdes të shtuar duke rritur edhe ekipet kujdestare.
Në mostrat e grumbulluara sot në tërë vendin, analiza laboratorike fiziko-kimike rezulton me vlerë të ngritur të turbullirës e cila i tejkalon vlerat standarde të lejuara në të gjitha pikat e mostrimit. Parametrat e tjerë fiziko-kimik rezultojnë me oscilime varësisht nga vlerat e turbullirës.
Rezultatet laboratorike mikrobiologjike do të lexohen 24 orë pas mbjelljes së mostrave./FolDrejt/