Mbrëmë në San Siro, Interi luajti 3:3 me Benfikën në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve dhe pasi fitoi 2:0 në ndeshjen e parë në Lisbonë, u kualifikua për në gjysmëfinale, ku ata do të presin rivalin e tyre të qytetit Milanin.
Pas ndeshjes, në një intervistë për Prime Video, trajneri i Interit, Simone Inzaghi u pyet nga Clarence Seedorf se kë preferon në sulm, Edin Dzekon apo Romelu Lukakun. Italiani ka dhënë një përgjigje diplomatike.
“Qëllimi është që të kemi katër sulmuesit në dispozicion, nuk i kam pasur kurrë kohët e fundit. Ky kalendar është bërë i ngarkuar dhe unë kam për detyrë të menaxhoj lojtarët dhe ata më ndihmojnë ta bëj këtë,” tha Inzaghi.
Megjithatë, ish-lojtari i Interit dhe Milanit nuk u dorëzua dhe e pyeti Inzaghin nëse Dzeko dhe Lukaku do të luanin ndonjëherë bashkë. Në atë moment, Inzaghi u largua nga studio.
Džeko pati një avantazh mbrëmë në krahasim me belgun që e zëvendësoi atë në minutën e 76-të. /FolDrejt/