Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu tha se për shkak të reduktimit të stafit në Institut, ende nuk është hartuar një raport përfundimtar i obduksionit rreth shkakut të vdekjes së preshevarit Besnik Osmani, i cili u gjet pa shenja jete më 4 maj në lumin Llapashticë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Prokurori i rastit, Arben Kadriu i tha Gazetës Express se vdekja e Osmani është cilësuar e dyshimtë dhe kur të pranojnë raportin nga Mjekësia Ligjore do të përcaktojë edhe pistën e hetimeve rreth vdekjes së tij.
Besnik Osmani ishte shpallur i zhdukur që nga data 24 mars të këtij viti, kur kishte tentuar që të kalojë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në pikëkalimin e fshatit Muçibabë.
Ai nuk ishte lejuar të kalojë tutje për shkak të mbylljes së kufirit Kosovë-Serbi shkaku i pandemisë, kështu i ndjeri vendosur që rrugëve malore të dalë në Preshevë i cili ishte edhe destinacioni i Besnik Osmanit. Vetura e viktimës u gjet në fshatin Muçibabë të njëjtën ditë që u shpall i zhdukur.
Viktima kishte pasur me vete një shumë parash me të cilat do t’i paguante punëtorët e tij pasi punonte si kontabilist.
Trupi i Bekim Osmanit u gjet para 11 ditëve, më 4 maj në mes të fshatrave Llovcë dhe Burincë pranë lumit Llapushnicë në brezin kufitar Kosovë-Serbi që lidh Gjilanin me Preshevën.
Drejtori i Instituti të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu i tha Gazetës Express se analizat histo-patologjike nuk kanë përfunduar akoma në rastin e Besnik Osmani sepse marrin kohë dhe janë duke punuar me staf të reduktuar.
“Analizat histo-patologjike marrin kohë dy deri në tri javë minimum, kurse tani për shkak të pandemisë jemi duke punuar me staf esencial dhe kjo do të marrë kohë. Ende nuk është përfunduar raporti i obduksionit”, tha Gërxhaliu.
Prokuroria Themelore e Gjilanit është duke e hetuar rastin të cilin e ka cilësuar si vdekje të dyshimtë.
Prokurori i rastit, Arben Kadriu tha se nuk kanë pranuar raport akoma nga Instituti i Mjekësisë Ligjore
“Nuk e kemi pranuar raportin nga IML’ja, nuk është punuar, se kur punohet e marrim. Obduksioni është kryer por nuk është hartuar raporti. Ne e kemi cilësuar si vdekje të dyshimtë, dhe në parim çdo trup i pajetë që dërgohet në Mjekësinë Ligjore për obduksion trajtohet si vdekje e dyshimtë”, tha Kadriu.
Ai tha tutje se kanë intervistuar personat që kanë pasur kontakt me viktimën, por që pistën e hetimit do ta përcaktojë raporti i obduksionit.
“Kemi intervistuar familjarë dhe persona që kanë pasur kontakte me të ndjerin, kemi raport nga vendi i ngjarjes, fotodokumentacion, deklarata, mirëpo ende nuk e kemi raportin dhe kjo na përcakton pistën, ndoshta është vdekje e natyrshme dhe përfundon gjithçka”, tha Kadriu për Gazetën Express të premten.
Trupi i pajetë i Besnik Osmanit është gjetur i dekompozuar në masë të madhe.
Këtë e kishte konfirmuar për Express edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku një ditë pas gjetjes së trupit të pajetë.
“Po, trupi i tij ka qenë bukur shumë i dekompozuar”, kishte thënë ai.