Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdon të zgjerohet gama e shërbimeve të reja, me aparatura moderne të cilat do të bëjnë të mundur ofrimin e shërbimeve të cilat nuk janë ofruar më parë, transmeton Fol Drejt.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në vazhdën e investimeve me qëllim të shtimit të shërbimeve të cilat do të ofrohen për herë të parë në institucionet publike shëndetësore, në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK tashmë ka arritur pajisja e re, gjeneratë e fundit e teknologjisë.
“Ky shërbim i ri përfshin intervenime të cilat nuk kanë qenë të mundura të realizohen më parë në QKUK, veçanërisht për rastet të cilat diagnostikohen me forma më agresive të kancerit që origjinën e kanë në tru.
Me fillimin e këtij shërbimi të ri në Klinikën e Neurokirurgjisë, do të reduktohet edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit.
QKUK po zbaton planin dinamik përgatitor me qëllim të funkionalizimit të aparaturës, ndërsa bashkë me pajisjet e tjera siç janë sistemi i fluoroskopisë 3D, neuroendoskopi dhe tabela e kirurgjisë kurrizore, vlera e investimeve në Klinikën e Neurokirurgjisë arrin në vlerën 1 milion e 770 mijē euro.”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, përcjell Fol Drejt.