Në një ceremoni ku morën pjesë figura të larta ushtarake, raketa “Khyber Shikan” me një rreze veprimi prej 1.450 kilometrash u shfaq për herë të parë nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Garda Revolucionare e Iranit ka zbuluar një raketë të re strategjike në kuadër të festimeve për të shënuar 43-vjetorin e revolucionit të vitit 1979, shkruan AA.
Në një ceremoni ku morën pjesë figura të larta ushtarake, përfshirë shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit, gjeneral Mohammad Baqeri, raketa “Khyber Shikan” me një rreze veprimi prej 1.450 kilometrash u shfaq për herë të parë nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Sipas zyrtarëve ushtarakë, raketa vjen me karakteristika të veçanta, ndryshe nga raketat e tjera me saktësi të lartë që ushtria iraniane dhe IRGC-ja kanë zhvilluar viteve të fundit.
Raketa “Khyber Shikan”, thonë ekspertët, mburret me shpejtësi dhe saktësi të lartë në goditjen e objektivave brenda një rrezeje prej 1450 kilometrash.
Ajo po ashtu ka peshë relativisht të ulët (një e treta e mostrave të tjera), kohë më të shpejtë të përgatitjes (një e gjashta e mostrave të tjera) dhe shpejtësi më të madhe për të depërtuar në mburojat mbrojtëse.
Sipas gjeneralit Amir Ali Hajizadeh, i cili drejton sektorin e hapësirës ajrore të IRGC-së, kjo raketë e gjeneratës së tretë në armaturën e IRGC-së posedon një “lëndë djegëse të ngurtë” dhe “manovrim të lartë” për të kaluar përmes një mburoje raketore, transmeton Fol Drejt.
Zbulimi i raketës së re të IRGC-së vjen një ditë pasi Irani dhe nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 u mblodhën në Vjenë për të rifilluar raundin e tetë të bisedimeve që synonin të shpëtojnë marrëveshjen.
Derisa Irani kërkon heqjen e sanksioneve në bisedimet që filluan në muajin prill të vitit të kaluar, vendi e ka shpallur programin e tij raketor “të pa negociueshëm”, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga palët perëndimore për ta përfshirë atë në diskutimet shumëpalëshe.
Sipas vëzhguesve rajonal, zbulimi i raketës “Khyber Shikan” duket se do të rrisë tensionet midis Iranit dhe Izraelit, si dhe do të provokojë një reagim edhe nga zyrtarët amerikanë.
Viteve të fundit, IRGC-ja ka bërë përparim të qëndrueshëm në zhvillimin e raketave balistike me saktësi të lartë, raketave të lundrimit dhe po ashtu të disa dronëve.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, dhjetëra raketa balistike dhe dronë u shfaqën gjatë një stërvitje ushtarake që shënjestronte një model eksperimental të objektit bërthamor izraelit “Dimona”./FolDrejt/