Italia do të rifillojë programin e saj të vaksinimit kundër pandemisë Covid-19 të premten me vaksinën AstraZeneca, njoftoi sot kryeministri italian Mario Draghi pas përfundimeve të rregullatorit europian (EMA), që e konsideron këtë vaksinë “të sigurt dhe efikase”.
“Qeveria italiane mirëpret deklaratat nga EMA. Administrimi i vaksinës AstraZeneca do të rifillojë nesër”, tha Draghi.
Agjencia Europiane e Barnave (EMA) e konsideroi sot përdorimin e vaksinës antiCOVID-19 “AstraZeneca” si të sigurt, pavarësisht raporteve në lidhje me mpiksjet e gjakut.
“Përfitimet janë shumë herë më të mëdha se sa risqet. Vaksina nuk shoqërohet me një rritje të rrezikut të përgjithshëm të ngjarjeve tromboembolike ose mpiksjes së gjakut”, theksoi ajo.
“Provat në botën reale, sugjerojnë që vaksina ka një efektshmëri edhe më të lartë se sa ajo e treguar gjatë testeve”, përfundon EMA.