Izraeli tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë shqetësime të mëdha në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të Iranit, Ebrahim Raisit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Lior Haiat, e konsiderojë Raisin si presidentin më ekstremist të Iranit.
Raisi është shpallur fitues i zgjedhjeve të 18 qershorit, ku shumë kandidatë u diskualifikuan nga gara. Ai do të inaugurohet në postin e presidentit në muajin gusht. Raisi, një klerik dhe udhëheqës i gjyqësorit në Iran, konsiderohet se ka pikëpamje ultra-konservatore. Ai është në listën e sanksioneve amerikane dhe emri i tij ka qenë i lidhur me ekzekutimet në të kaluarën të të burgosurve politikë.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Raisi është një person “që shpejt do ta avancojë programin ushtarak bërthamor” të Iranit.
Izraeli dhe Irani janë dy shtete rivale që shkëmbejnë akuza ndaj njëri-tjetrit dhe së fundmi, armiqësitë ndaj këtyre dy shteteve janë përshkallëzuar.
Që prej muajit prill, fuqitë botërore, që janë nënshkruese të marrëveshjes, po takohen në Vjenë, me qëllim që ta ringjallin marrëveshjen. Më 20 qershor, palët takohen për këtë qëllim, por para takimit, është thënë se Irani dhe fuqitë botërore kanë dallime të mëdha për çështje kyçe.