Izraeli ka filluar të lejojë eksportin e kufizuar tregtar nga Rripi i Gazës. Vendimi, të cilin autoritetet izraelite e quajtën të “kushtëzuar” pason armëpushimin e arritur mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit pas një lufte 11 ditore të zhvilluar në muajin maj.
Zyrtarët e kufirit të Gazës thanë se lehtësimi i kufizimeve izraelite do të zgjasë dy deri në tre ditë dhe do të zbatohet për mallrat bujqësore dhe disa tekstile.
Pas arritjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Egjipti, Izraeli tha se disa eksporte do të lejohen të kalojnë përmes territorit të tij që nga e hëna në mëngjes.
“Pas një vlerësimi të sigurisë, është marrë vendimi për të mundësuar eksportin e kufizuar të prodhimeve bujqësore nga Rripi i Gazës”, tha Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.
Masa u miratua nga qeveria e kryeministrit të ri izraelit, Naftali Bennett.
Në sektorin e tekstilit punojnë rreth 10.000 njerëz, nga rreth dy milionë banorët e Gazës. Ministria e bujqësisë e Gazës tha se fermerët kishin humbur 16 milionë dollarë për shkak të kufizimeve në eksporte.
Lufta 11 ditore në Gazë filloi pasi militantët palestinezë sulmuan me raketa qytetet e Izraelit pas një periudhe tensionesh në Jerusalem.
Nga luftimet mbetën të vrarë 260 palestinezë, përfshirë disa luftëtarë, thanë autoritetet e Gazës. Në Izrael, 13 njerëz u vranë, duke përfshirë një ushtar, nga raketa të lëshuara nga Gaza, thanë policia dhe ushtria.
Izraeli, SHBA-ja, BE-ja dhe vende tjera e konsiderojnë Hamasin, që udhëheq me Gazën, si organizatë terroriste.