Kryeministri Fumio Kishida tha se Japonia do të fillojë lëshimin e ujit të trajtuar radioaktiv nga termocentrali bërthamor Fukushima në det të enjten, nëse kushtet e motit e lejojnë, pavarësisht shqetësimeve midis peshkatarëve vendas dhe kundërshtimit të vazhdueshëm nga Kina, raporton Kyodo, transmeton Fol Drejt.
Vendimi i diskutueshëm u mor në një takim ministror të martën në mëngjes, pasi një sasi e konsiderueshme uji është grumbulluar në vend që nga aksidenti bërthamor i vitit 2011 i shkaktuar nga një tërmet shkatërrues dhe cunami që pasoi.
Qeveria e Kishidës ka të ngjarë të përballet me një reagim të ashpër nga njerëzit në industrinë e peshkimit, të cilët mendojnë se plani po shkon përpara pa pëlqimin e tyre ose pa shpjegime të mjaftueshme nëse qeveria mund të mbrojë realisht reputacionin e produkteve të tyre të detit.
Gjatë mbledhjes në zyrën e kryeministrit, Kishida u zotua se do të bëjë përpjekjet maksimale për asgjësimin e ujit të trajtuar dhe çaktivizimin e impiantit të shkatërruar në mënyrë të sigurt, duke thënë: “Qeveria do të marrë përgjegjësinë e plotë, edhe nëse duhen dekada”.