Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, është takuar sot me kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn.
Pas këtij takimi, Jasharaj ka thënë para mediave se grevë nuk ka, mirëpo ka ngritur shqetësim lidhur me situatën e krijuar për tekstet shkollore, duke thënë se do të ketë nxënës dhe mësimdhënës pa tekste shkollore dhe se nuk dihet se kur do të bëhet kompletimi me këto tekste.
“Pikëpyetja më e madhe është, grevë nuk ka, mësimi do të fillojë të premten, por do të kemi nxënës dhe mësimdhënës pa mjetin e vetëm, fatkeqësisht pa tekste shkollore dhe nuk dihet se kur do të arrihet që të kompletohemi me tekste shkollore”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj shtoi tutje se falenderoi Haradinajn për kontributin e tij për mësimdhënësit,
“I premtova se do të vazhdojmë betejën për dije me kushtet që i kemi”, shtoi ai.
“Janë diku 300 kolegë që kanë kërkuar pushim pa pagesë, dhe kam frikën së këtë pushim ata mund ta shfrytëzojnë për të dalë jashtë shtetit, dhe nëse rehatohen atje nuk do të kthehen dhe pastaj të tjerët do ta ndjekin të njëjtën rrugë, dhe ç’na duhen nxënësit në shkollë pa mësuesin shqiptar në ato shkolla”, ka shtuar më tej Jasharaj, përcjell Fol Drejt.