Nga Gëzim Olluri – Fol Drejt
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka uruar Argjentinën për triumfin në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Në finalen e botërorit, Argjentina e mundi me rezultat 4-2 Francën pas penalltive ngase loja e rregullt dhe ajo e vazhdimeve përfundoj 3-3, shkruan Fol Drejt.
Joe Biden e ka shpërndarë një postim nga “Facebook” të Alberto Fernándezit, presidentit të Argjentinës dhe e ka uruar Argjentinën. Biden në shkrimin e publikuar ka shkruar: “Urime ty Alberto dhe çdo argjentinasi për fitoren e djeshme shumë të merituar. Ju e dini, unë mendoj se ai djali i Messit mund të ketë një të ardhme”.
Argjentina titullin e tretë të Kupës së Botës e fitoi pas 36 vitesh pritjeje. Titullin e parë dhe të dytë, Argjentina i kishte fituar më 1978 dhe më 1986. Në anën tjetër, Lionel Messi arriti për herë të parë ta fitoi trofeun e Kupës së Botës, duke kompletuar karrierën e tij me fitimin e çdo trofeu të mundshëm në nivel klubi dhe shteti.
Deri tek triumfi në Kampionatin Botëror, Argjentina zhvilloi shtatë takime. Prej tyre realizoi 6 fitore, dy nga të cilat prej penalltive dhe humbi vetëm një takim në fazën grupore në rrethin e parë në kuadër të Grupit C.
Edhe lojtarët e Argjentinës në këtë botëror ishin të suksesshëm në nivel individual. Emiliano Martinez u shpallë portieri më i mirë i botërorit. Enzo Fernandez arriti ta fitoi çmimin për futbollistin më të mirë të ri, ndërsa Lionel Messi e fitoi trofeun e futbollistit më të mirë të kampionatit./FolDrejt/