Një valë e paprecedentë e reshjeve të dendura që përfshiu një pjesë të madhe të shtetit amerikan të Kalifornisë shndërroi vendbanime të tëra në liqene, përmbyti shumë ndërtesa dhe vrau të paktën 17 persona.
Stuhia e fuqishme shkaktoi erëra të forta, reshje të dendura shiu dhe bore, si dhe përmbytje dhe rrëshqitje dheu, ndërsa dhjetëra mijëra shtëpi mbetën pa energji elektrike. Rreth pesë milionë njerëz u rrezikuan nga përmbytjet të mërkurën, ndërsa parashikohet ardhja e një stuhie tjetër të madhe, raportojnë mediat lokale.
Kalifornia Veriore u godit nga vala e saj e shtatë radhazi e reshjeve të dendura që nga Krishtlindjet të mërkurën, duke përkeqësuar situatën e shtetit.
Ndërsa përmbytja e së mërkurës ishte relativisht e vogël, me më pak reshje shiu dhe kryesisht e përmbajtur në veriperëndim të Kalifornisë, sinoptikanët presin që një stuhi tjetër të godasë pjesën më të madhe të shtetit këtë fundjavë dhe të zgjasë deri më 17 janar./FolDrejt/