Serbia dhe Kosova ndonëse vende fqinje, janë dy shtete të cilave problemet historike u kanë shkaktuar ndasi të mëdha sidomos pas luftës sl fundit.
Por kjo siç vërehet kohëve të fundit ka pasur edhe efektin e kundërt kur shumë studiues serbë në fakt janë mishëruar kulturalisht me gjuhën shqipe, përcjell Fol Drejt.
Për këtë është dëshmi deklarata e fundit e albanologes serbe në Beograd, Danica Vasileviq, e cila tregoi për lidhjen e saj me shqipen dhe rëndësinë që ka mësimi i gjuhës për të arritur deri tek përfitimet kulturore.
“Pastaj kam ra ne dashuri me shqipen. Kam pasur përvojën shumë të mirë, nëpërmjet gjuhës jam njohur me shumë njerëz të mirë, edhe kam pasur përvoja të ndryshme. Mund të them që nuk pendohem që jam regjistruar për shqipen, edhe që e kam studiuar. Ndoshta për punë nuk kam pasur fat, në atë kuptim që të punësohem si profesoreshë, por ndihem mirë edhe kështu tani kam si hobi, por ende kam interesim, lexoj shqip edhe shikoj filma, dëgjoj muzikë”, thotë për RTK-në Danica Vasileviq, profesoreshë e gjuhës shqipe.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme të mësosh gjuhën sepse kur përdorim gjuhën angleze jemi vërtet të humbur në përkthim, dhe nuk mund të ndjejmë anën tjetër. Ne në fakt adoptojmë një rrëfim dhe nuk kemi mendimin tonë, nuk i kemi ato përvoja se si mendon realisht fqinji ynë”, thotë tutje ajo.
Njohjen e gjuhës shqipe, Vasileviq e sheh si një hap i cili bën që ajo të jetë shumë më përpara se të tjerët që nuk e njohin këtë gjuhë, duke konsideruar se tek kjo kanë ndikuar shumë mosmarrëveshjet politike në mes të dy vendeve.
“Është me të vërtet një mund të them edhe nder, përparësi që jam një hap përpara njerëzve të tjerë që nuk flasin shqipen mund të mësoj nga kultura tjetër të mësoj shumë”, përfundon Vasileviq./FolDrejt/