Disa mijëra njerëz dolën në rrugët e Tel Avivit të shtunën mbrëma për të protestuar kundër qeverisë së re të kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cila bashkon partitë e ekstremit të djathtë dhe ato fetare.
Protestuesit u mblodhën në qendër të qytetit bregdetar dhe marshuan me zë të lartë nëpër rrugë, duke valëvitur flamujt izraelitë dhe duke mbajtur pankarta kundër Netanyahut.
“Së bashku me mijëra protestues, ne dolëm të protestojmë dhe të themi qartë – Vendi ynë nuk mund të shkatërrohet! Ne do të vazhdojmë të luftojmë për demokracinë tonë”, shkroi në Twitter kreu i Partisë së Punës të Izraelit, Merav Michaeli.
Kabineti i ri i krahut të djathtë të Netanyahut u betua javën e kaluar, me disa poste ministrore që iu dhanë ultranacionalistëve.
Qeveria po planifikon reforma gjithëpërfshirëse, nga zgjerimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar deri te dobësimi i fuqisë së gjyqësorit.
Reformat dramatike të ministrit të ri të Drejtësisë, Yariv Levin, në lidhje me drejtësinë ishin shqetësimet kryesore të protestuesve. Levin kërkon t’i mundësojë shumicës në parlament të rrëzojë vendimet e Gjykatës së Lartë.
Levin gjithashtu dëshiron të ndryshojë përbërjen e trupit që emëron gjyqtarët.
“Nëse nuk dalim në rrugë, do të humbasim demokracinë”, tha një nga protestuesit, Hewi Boem, duke shtuar se qeveria e re është kriminale dhe e korruptuar.
Një tjetër pjesëmarrës tha se është mirë që kaq shumë njerëz dolën në rrugë, “por që ende nuk mjafton të ndalet kjo qeveri kriminale”.
Ndër ligjet e ndryshuara ishte një që lejoi kreun e partisë ultra-ortodokse Shas Aryeha Deri të bëhej ministër i brendshëm pavarësisht se ishte dënuar për shkelje tatimore.
Ndërkohë, Netanyahu është udhëheqësi më jetëgjatë i Izraelit dhe ka qenë i përfshirë në vite hetimesh që përfshijnë mashtrime, shkelje të besimit dhe korrupsion./FolDrejt/