Opozita në Kuvendin e Serbisë ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë e ka konfirmuar për Danas kryetari i Partisë Demokratike, Zoran Lutovac. Megjithatë, deri më tani thuhet se nuk ka unitet mes deputetëve të opozitës për këtë çështje.
Presidenti i Serbisë që nga e enjtja në disa raste në deklarata për gazetarët i ka thënë opozitës që të mbledhë 85 nënshkrime në Kuvend për shkarkimin e tij dhe se do të merr edhe 85 nënshkrime të progresistëve që do të shprehin dyshime për legjitimitetin e tij.
Vuçiq nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale, siç kërkon opozita, sepse nuk do të mund të kandidojë për herë të tretë për atë post. Por ai është i gatshëm që në Kuvend të kryhet procedura e mosbesimit ndaj tij, e cila çon në referendum për besimin e tij. Për këtë duhen dy të tretat e votave të deputetëve.
Siç ka shkruar tashmë Danas, nëse do të firmosnin deputetë nga të gjitha grupet parlamentare të opozitës dhe dhjetë deputetë që nuk janë anëtarë të asnjë partie, do të kishin 88 vota. Por, siç qëndrojnë gjërat tani, kundërshtarët e Vuçiqit nuk ka gjasa të arrijnë edhe numrin 85, pasi blloku i djathtë i opozitës nuk është ende i interesuar për të dhënë nënshkrime dhe as deputetët e pavarur, thuhet në raport. /FolDrejt/