Shefi i Diplomacisë së BE-së, Borrell, ka bërë thirrje për sot një takim të ri të nivelit të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku siç njoftoi Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme (EEAS), do të ketë dy tema: draft statuti i Asociacionit të Komunave Serbe dhe personat e zhdukur.
Pikërisht 45 ditë pas takimit të fundit në Ohër, kur u ra dakord për Aneksin e Marrëveshjes Evropiane për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sërish me ndërmjetësimin e Borrellit dhe pranisë së të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Siç njofton EEAS, nikoqiri i takimit, Borrell, do t’i drejtohet publikut pas takimit, transmeton Fol Drejt.