Ukraina i ka kërkuar qeverisë gjermane t’i dërgojë raketa lundrimi Taurus ndërsa Kievi përpiqet të mbrohet kundër një pushtimi rus që filloi shkurtin e kaluar.
Kërkesa e Kievit u mor disa ditë më parë, tha dje në mbrëmje një zëdhënëse e Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, përcjell Fol Drejt.
Megjithatë, detajet e kërkesës, duke përfshirë sasinë e armëve të kërkuara nga Kievi, mbeten të paqarta. Pak ditë më parë, Roderich Kiesewetter, përfaqësues i opozitës nga radhët e kristiandemokratëve në parlamentin gjerman, mbështeti dërgimin e këtyre armëve. Raketat e drejtuara me një rreze veprimi deri në 500 kilometra do t’i mundësojnë vendit të sulmuar të “shënjestrojë infrastrukturën ushtarake ruse shumë prapa vijës së frontit”, tha ai.
Lajmi për kërkesën erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ai po vazhdonte të kërkonte mbështetje nga partnerët perëndimorë.
“Ne do të bëjmë gjithçka të mundshme dhe të pamundur për të përshpejtuar dërgimin e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore me cilësi më të lartë në Ukrainë,” tha ai në një fjalim video të premten, duke shtuar se ishte “fjalë për fjalë një temë e përditshme në bashkëpunim me partnerët”.
Ukraina po bën përparim më të shpejtë në modernizimin e mbrojtjes së saj sesa mund të ishte parashikuar gjashtë muaj më parë, tha ai./FolDrejt/