Ndërsa ekspertët deklarojnë se vendi që do të preket më shumë nga një fluks i tillë refugjatësh është Polonia, theksohet se Varshava është e papërvojë përballë një fluksi të madh.
Pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia pritet të shkaktojë në një fluks të ri refugjatësh në zemër të Evropës, shkruan AA.
Ndërsa ekspertët deklarojnë se vendi që do të preket më shumë nga një fluks i tillë refugjatësh është Polonia, theksohet se Varshava është e papërvojë përballë një fluksi të madh.
Nga ana tjetër, thuhet se autoritetet polake po punojnë për skenarë të ndryshëm kundër fluksit të refugjatëve.
Ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kaminski, njoftoi se administratat rajonale dhe komunat po shqyrtojnë mundësinë e pranimit të refugjatëve në rast lufte në Ukrainë.
Në fundjavë, guvernatorët në Poloni kërkuan nga komunat që brenda 48 orëve t’i japin Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e objekteve akomoduese dhe kapacitetet e tyre për fluksin e mundshëm të refugjatëve.
“Duhet të jemi të përgatitur për skenarin më të keq”
Zëvendësministri i Brendshëm polak, Maciej Wasik, gjithashtu tha se ata po shqyrtojnë mundësinë që afro një milion refugjatë ukrainas të vijnë në vend, transmeton Fol Drejt.
“Ne duhet të përgatitemi për skenarin më të keq. Ne po ndërmarrim hapa për t’u përgatitur për valën e gati një milion refugjatëve ukrainas. Qeveria polake do të veprojë në solidaritet me Ukrainën, ku tensionet me Rusinë po rriten. Sipas Konventës së Gjenevës, këta njerëz do të jenë nën mbrojtjen polake dhe ne kurrë nuk do t’u themi jo njerëzve që kanë nevojë për ndihmë”, tha Wasik.
“Një fluks qindra mijërash emigrantë nuk është diçka që mund ta përballojë Polonia”
Ka edhe nga ata që mendojnë se Polonia nuk mund të menaxhojë një fluks të madh refugjatësh.
Agnieszka Kosowicz, shefja e Forumit të Emigracionit polak, një organizatë joqeveritare që mbështet të drejtat e emigrantëve polakë, tha: “10 qendrat e operuara nga Zyra Polake e Emigracionit kanë një kapacitet total prej 2.000 personash. 800 nga ky kapacitet janë aktualisht në përdorim”.
Ish-ambasador i Polonisë në Ukrainë, Jan Piekto, tha: “Ka më shumë se një milion ukrainas që vijnë në kërkim të punës dhe janë një pjesë aktive e shoqërisë polake. Por një fluks i qindra mijëra njerëzve që ikin nga lufta dhe vdekja nuk është diçka që mund ta përballojë Polonia”.
“Polonia do të jetë një rrugë kyçe për në Evropë për refugjatët ukrainas”
Qendra Evropiane e Analizës së Politikave (CEPA) gjithashtu deklaroi se zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të Grupit të Vishegradit duhet të vlerësojnë nëse vendet e para të pritjes dhe tranzitit janë gati për fluksin e refugjatëve në rast të një pushtimi të mundshëm të Ukrainës.
“Zyrtarët e sigurisë së BE-së dhe ministritë e brendshme të vendeve të Grupit të Vishegradit duhet të krijojnë marrëdhënie dhe të vlerësojnë gatishmërinë e tyre si vendet e para të pritjes dhe tranzitit. Polonia ka një rëndësi të veçantë. Në një skenar ku Rusia pushton një pjesë të madhe të Ukrainës, Polonia duhet të jetë gati për refugjatët ukrainas. Ajo do të jetë rruga kryesore për në Evropë”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se Polonia ka një kufi me Ukrainën më të gjatë se 482 kilometra dhe se Polonia është tashmë një vend i preferuar për shkak të afërsisë gjeografike, pagave relativisht më të larta dhe faktorëve të tjerë.
Polonia refuzoi 99 për qind të kërkesave të qytetarëve ukrainas për azil në vitin 2015
CEPA gjithashtu raportoi se ngjarjet në të kaluarën treguan se Polonia, si vendet e tjera të BE-së, nuk do t’i hapë krahët e saj refugjatëve ukrainas.
“E kaluara tregon se Polonia, si vendet e tjera të BE-së, nuk do të hapë krahët për azilkërkuesit ukrainas. Ndërsa kryeministri polak shprehu solidaritetin e tij me Ukrainën, është e paqartë nëse kjo do të çojë në lehtësimin e politikave të ashpra të Polonisë mbi azilin. Pas pushtimit rus të Krimesë, Polonia refuzoi 99 për qind të kërkesave për azil të qytetarëve ukrainas”, thuhet në deklaratën e qendrës./FolDrejt/