Në një raport të përgatitur nga Kombet e Bashkuara (OKB) thuhet se vitin e kaluar në Kolumbi, mbjellja e bimës koka, përbërësi kryesor i kokainës është rritur më 43 për qind.
Sipas lajmit të BBC-së, raporti i Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin thekson se Kolumbia prodhuesi më i madh në botë i kokainës theu rekord të prodhimit të kokainës vitin e kaluar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipërfaqja e mbjelljes së kokas është rritur me 43 për qind duke arritur në 204 mijë hektarë në vitin 2021. Kjo është rritja më e lartë në mesin e të dhënave të përpiluara nga OKB-ja që nga viti 2001.
Në raport thuhet se mbjellja më intensive e kokas është kryer në Santanderin Verior në verilindje të vendit dhe në Narino dhe Putumayo në kufi me Ekuadorin.
Bashkia Tibu në Santanderin Verior me 22 mijë hektarë ka sipërfaqen më të madhe të kultivimit të kokas në mesin e të gjitha bashkive të vendit.
Në raport vihet në dukje se kultivimi zhvillohet kryesisht në rajone pranë kufijve ose me qasje të lehtë në det dhe se në këto rajone punojnë së bashku banda të armatosura, kontrabandistë dhe prodhues të drogës.
Kultivimi i kokas thuhet se është një kërcënim i madh për biodiversitetin dhe bashkë sjell edhe shpyllëzimin.
Një pjesë e madhe e kokas që prodhohet në Kolumbi shkon në Evropë dhe SHBA ku konsumi i drogave të paligjshme është më i larti në botë.
Kolumbia ka luftuar prej vitesh për t‘i larguar fermerët nga prodhimi i kokas, por premtimet për inkurajim dhe subvencione nuk janë realizuar./FolDrejt/