Në takimin e sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, shprehu shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit në komunat në veri të Kosovës, thuhet në deklaratën e misionit.
Shtohet se pas takimit me Vuçiqin, komandanti i KFOR-it është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, me të cilin është pajtuar se të gjitha palët duhet të deeskalojnë tensionet.
“KFOR-i është i përgatitur të përballet me çdo skenar dhe vazhdon të monitorojë situatën në terren. Ai vazhdon të veprojë në mënyrë të paanshme, brenda rregullave strikte të angazhimit dhe merr të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në mënyrë që të sigurohet një mjedis i sigurt dhe liria e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në deklaratën e misionit./FolDrejt/