Komisioni hetimor i OKB-së njoftoi sot se OKB-ja, qeveria siriane dhe aktorë të tjerë janë përgjegjës për vonesën në ofrimin e ndihmës urgjente për sirianët pas tërmetit të muajit të kaluar, duke i përshkruar vonesat si “tronditëse” dhe duke bërë thirrje për një hetim të veçantë.
Palët e përfshira gjithashtu nuk kanë arritur të bien dakord për një pauzë në armiqësitë dhe për të ofruar ndihma për shpëtimin e jetës në çfarëdo mënyre të disponueshme, duke i lënë sirianët të ndihen “të braktisur dhe të lënë pas dore nga ata që duhet t’i mbronin në kohë të vështira”, raporton Reuters.
“Ndërsa ka pasur shumë akte heroizmi në mes të vuajtjeve, ne kemi qenë gjithashtu dëshmitarë të një dështimi të madh nga qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Kombet e Bashkuara, për të drejtuar shpejt ndihmën e shpëtimit për sirianët kur ata kishin nevojë për të.” tha presidenti i Komisionit të OKB-së, Paulo Pinheiro./FolDrejt/