Sipas informacioneve nga Vitia, dhjetëra-qindra libra janë djegur në oborrin e shkollës “Njazi Rexhepi” në fshatin Sadovinë e Çerkezëve. Nga fotografitë që shihen, vërehet që ka pasur një numër të konsiderueshëm të librave të djegur në oborrin e shkollës, të cilat paraprakisht ishin të hudhura në sallat shkollore e nëpër tokë.
Shkruan: Gëzim Olluri
“Qytetërimi ynë po e shkatërron vetveten”, është nji frazë në librin ‘Farenhajt 451’ nga Ray Bradbury. Në të personazh kryesor është një zjarrvënës, Montagu. Detyra e tij është të shkatërrojë mallin e jashtëligjshëm – librat. Duket se personazhi i Rai Bradburit është shfaqur edhe në Komunën e Vitisë. Mirëpo, mbetet enigmë nëse personazhi për shkatërrimin e djegien e librave gjendet jashtë apo brenda institucioneve komunale.
Duke i vështruar fotografitë, bëhet fjalë për dhjetëra-qindra lektyra e libra të hudhura në klasat shkollore e të shkatërruara para se ato të përfundonin të djegura në oborr. Gjithsesi, duhet theksuar që institucionet shkollore brenda nji komune veprojnë nën ombrellën e Drejtorisë Arsimore Komunale.
“Drejtoria e Arsimit në kuadër të kompetencave, autorizimeve dhe përgjegjësive ligjore të saja (Ligjit nr 03/L-068), si dhe udhëzimeve administrative të MASHTI-t, Statutit të Komunës së Vitisë dhe të politikave strategjike të Kryetarit të Komunës në fushën e veprimtarisë së saj është kompetente dhe obligohet t’i kryej: udhëheqjen, menaxhimin dhe koordinimin e strukturës së arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm në komunë”, thuhet ndër të tjera në web-faqen e Drejtorisë Arsimore – Viti.
Bazuar në informacionet që i ka publikuar Dega e AAK-së në Viti, aludohet se lektyrat e librat janë djegur në oborrin e Shkollës Fillore “Njazi Rexhepi” në Sadovinë. Siç mësohet nga të dhënat e publikuara, objekti shkollor ishte shndërruar në konteiner të mbeturinave e qindra libra janë hedhur në oborrin e shkollës. Pasi që shkolla dhe oborri janë pastruar, librat janë djegur.
“Dy ditë më parë ishim për vizitë tek shkolla e vjetër “Njazi Rexhepi” në Sadovinë të Çerkezëve pasi kjo shkollë ishte kthyer në konteiner të mbeturinave ku me qindra libra ishin hedhur përtokë. Denoncimi ynë me foto të bashkangjitura kishte bërë “mrekulli”. Tanimë shkolla “Njazi Rexhepi” ishte pastruar dhe asgjë nuk kishte mbetur nga mbeturinat”, thuhet në shkrimin e Degës së AAK-së në Viti.
Nga ana tjetër, dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Viti, përgjegjësinë për djegien e librave ia adreson organeve komunale që janë treguar neglizhente. Ndër të tjera, bazë pamjeve fotografike shkolla duket që nuk është funksionale pasi shihen dyer e dritare të thyera. Dhe mbetet e paqartë se pse librat nuk janë larguar kur shkolla ka dalë jashtë funksionit.
“Komuna e Vitisë nuk kishte mbetur pa e shprehur edhe njëherë averzionin e saj për librin. Ajo i kishte djegur librat në oborrin e shkollës. Gjë që, në mos qoftë një krim ekonomik, është një mëkat simbolik që përçon mesazh të fortë tek nxënësit, prindërit e qytetarët për raportin e vërtetë që ka ky pushtet me arsimin, diturinë dhe librin”.
Mediumi “FolDrejt”, i ka kontaktuar institucionet komunale në Viti për të marrë qartësime dhe informacione se kush qëndron prapa djegies së librave dhe pse nuk i kanë bartur në ndonjë bibliotekë publike a shkollore, mirëpo nuk kanë dhënë ndonjë përgjigjje.
Nga ana tjetër, Vitia akoma nuk ka objekt biblioteke dhe veprimtaria e bibliotekës publike në qytetin e Vitisë vepron në ambientet e Shtëpisë së Kulturës.