Asosacioni i Komunave të Kosovës, ka reaguar lidhur me shkëputjen e njëanshme nga Ministria e Pushtetit Lokal të marrëveshjes tripalëshe në mes të MPL-Komunave të Kosovës dhe Helvetas Swiss Cooperation në Kosovë, duke shprehur shqetësimin se ky vendim i MPL-së do të humb 5.2 milionë euro investime në komunat e Kosovës, nga donatorët e jashtëm.
Po ashtu, AKK kërkon nga Kryeministër i Republikës së Kosovës Hoti, të ndërmarrë veprime për të shtruar në përgjegjësi gjithë akterët që kanë ndikuar për një situatë të tillë si dhe ndaj zyrtarëve të lartë të MPL-së që kanë bërë deklarata fyese për Kryetarët e Komunave.
Mëposhtë gjeni deklaratën e përbashkët të AKK-së:
DEKLARATË RRETH SHKËPUTJES SË NJËANSHME NGA MINISTRIA E PUSHTETIT LOKL (MPL) TË MARRËVESHJES TRIPALËSHE NË MES MPL- KOMUNAVE- HELVETAS SWISS COOPERATION NË KOSOVË
1. Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) e ka përkrahur dhe do e përkrah skemën e granteve dhe i falenderon organizatat donatore për investimet e bëra deri më tani në fusha të ndryshme e që këto investime kanë ndikuar në përmisimin e jetës së qytetarit dhe zhvillimin e demokracisë lokale. AKK kërkon nga donatorët që edhe në të ardhmen të kenë një bashkëpunim të tillë me komunat e Republikës së Kosovës.
2. AKK shpreh shqetësim dhe nuk pajtohet me vendimin e Ministrit të Pushtetit Lokal (MPL) dhe e konsideron akt të paprecedentë dhe shpreh shqetësim lidhur me vendimmarrjen e njëanshme të MPL për shkëputjen e kontratës me donator për skemën e granteve për komuna e ku komunat do humbin 5.2 milion EUR.
3. AKK-së nuk pajtohet me arsyetimin e këtij vendimi se deklarata e Kuvendit të AKK-së, ku kërkohet transparencë dhe bashkëpunim më të mirë në mes MPL e Komunave, është shkaktar për shkëputjen e njëanshme të marrëveshjes tripalëshe. Vendimi mbi ndërprerjen e marrëveshjes tripalëshe nuk do të duhej të merrej pa konsultim paraprak me partnerët e marrëveshjes e në këtë rast edhe pas konsultim paraprak me komunat e Republikës së Kosovës si përfituese të këtij granti.
4. Kërkojmë nga z. Avdullah Hoti, Kryeministër i Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime për të shtruar në përgjegjësi gjithë akterët që kanë ndikuar për një situatë të tillë si dhe ndaj zyrtarëve të lartë të MPL-së që kanë bërë deklarata fyese për Kryetarët e Komunave.