Koreja e Veriut u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut, njofton Al Jazeera, transmeton Fol Drejt.
Në një deklaratë për mediat shtetërore të dielën, zëvendësministri i Jashtëm Kim Son Gyong tha se stërvitjet dhe retorika nga aleatët i kanë shtyrë tensionet në një “nivel jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
Ai tha se OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar “do të duhet të nxisin me forcë SHBA-në dhe Korenë e Jugut që të ndalojnë menjëherë komentet e tyre provokuese dhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake”.
Deklarata vjen pasi zyrtarët nga Seuli dhe Uashingtoni njoftuan të Premten më shumë se 10 ditë stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë, duke përfshirë ulje amfibe, nga 13 deri më 23 mars.
Aleatët kanë thënë se stërvitjet janë mbrojtëse dhe janë të nevojshme për të kundërshtuar kërcënimet në rritje nga programet e raketave balistike dhe armëve bërthamore të Koresë së Veriut, të cilat janë të ndaluara nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Por Pheniani i sheh stërvitjet si një provë për pushtim./FolDrejt/