Numri i rasteve me koronavirus në Indi ka kaluar 50 mijë, shkruan The Guardian. Janë këto të dhënat e fundit, ku pavarësisht masave të rrepta që u morën numri i infektimeve nuk shënoi ulje.
Të enjten, u raportua se India ka shënuar edhe 3.561 raste të reja, duke arritur totalin në 53,045. Numri i të vdekurve në vend në 24 orët e fundit u rrit me 89, duke shënuar 1.783 të vdekur gjithsej në këtë vend.
Në krahasim me vendet perëndimore, si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia, shifrat janë akoma të ulëta.
Zyrtarë nga India vunë re një shpërthim të rasteve të reja në qytetet me numër më të madh të banorëve, si Mumbai, Delhi dhe Ahmedabad. Ministri i Shëndetësisë atje, Harsh Vardhan, tha se Maharashtra, shteti në të cilin ndodhet Mumbai, përbën një zonë me shqetësim të theksuar dhe se qeveria federale është e gatshme që të ndihmojë.
“Qeveria është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë të mundshme. Qoftë me rritje të fuqisë punëtore, me ngritjen e kapaciteteve, asistencës teknike ose çfarëdolloj ndihme tjetër, e cila ndihmon në menaxhimin e situatës”, tha ai në një takim me zyrtarët shëndetësorë të shtetit