Rreth 10,000 doza të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga kompania AstraZeneca dhe Universiteti i Oxfordit, pritet të arrijnë në Kosovë në ditët në vijim, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë.
Sipas saj, ky do të jetë kontingjenti i parë i dërgesave të vaksinave kundër koronavirusit, përmes programit të OBSH-së, COVAX.
Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19.
Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.
Sipas një raporti të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Kosova do të marrë nga COVAX-i, 100.800 doza të kësaj vaksine.
Përveç vaksinave nga COVAX-i, Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535.000 vaksinave kundër koronavirusit.
Ndryshe, autoritetet shëndetësore kanë thënë se tani kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vaksinimit.
Shefi i zyrës së UNICEF-it (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë) në Kosovë, Murat Sahin përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, ka thënë se në Kosovë ka arritur dërgesa e parë e shiringave, që do të përdoren për vaksinën kundër COVID-19.
Vetëm të premten, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 445 raste me koronavirus, pas testimit të 2.570 mostrave në institucionet publike dhe ato private.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), më 26 shkurt janë regjistruar edhe pesë viktima.