Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve për kontrabandim me armë dhe tregti të ndaluar Izedin Mjezini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmani, Sylë Sulejmani, Naim Abrashi dhe Armend Iljazi, duke i dënuar me 20 vjet burgim dhe 42 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve është shpallur të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Izedin Mjezini është dënuar me 2 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak 26 ditëve.
I akuzuari Vesat Imeri është dënuar me 4 vite burgim dhe 15 mijë euro gjobë, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 3 muajve.
Të akuzuarit Nexhip Gashi i është shqiptuar dënimi me burgim prej 4 vitesh dhe 15 mijë euro gjobë, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak prej 26 ditëve.
Të akuzuarit Besim Sylejmani i është shqiptuar dënimi me burgim prej 2 vite e 8 muaj, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 7 muajve e 24 ditë.
I akuzuarit Sylë Sylejmani është dënuar me dënim me burgim prej 2 viteve e 8 muaj, të cilit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 8 muaj e 8 ditë.
Ndërsa, i akuzuari Naim Abrashi është dënuar me dënimin me burgim prej 2 viteve dhe me dënimin me gjobë në shumë prej dy mijë euro, të cili sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha kaluar në paraburgim prej 2 muaj e 7 ditë.
Kurse, i akuzuari Armend Iljazi është dënuar me dënimin prej 2 vite e 8 muaj burgim, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, me këtë vendim gjykata ka konfiskuar medikamentet e lustruara, 99 pistoleta dhe 723 fishek.
Ndërsa, të akuzuarit Izedin Mejzini shuma prej 12 mijë e 300 euro të sekuestruara dhe Besim dhe Sylë Sylejmanit veturat dhe 5 mijë euro të sekuestruara, iu janë kthyer pasi sipas gjykatës nuk ka bazë për konfiskim.
Po ashtu, secilin veç e veç gjykata i ka obliguar që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 200 euro, si dhe paushallin gjyqësor në vlerë prej 100 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjykatësi Shala tha se palët e pakënaqura kundër këtij vendimi, kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditëve.
Marrjen e këtij vendimi, gjykatësi Shala e ka arsyetuar duke theksuar se gjykata se ka marrë pasi që ka gjetur se në bazë të provave të analizuara dhe shqyrtuara bëhet fjalë për dy veprime, veprimet që kanë të bëjnë me kontrabandë dhe tregti të ndaluar.
Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe F.H, por ndaj tij ka pushuar procedura pasi që i njëjti ka ndërruar jetë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmani, Sylë Sulejmani, F.H. dhe Naim Abrashi akuzoheshin se nga periudha e panjohur kohore në vazhdimësi e deri më 21 mars 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga të pandehurit Vesat Imeri dhe Izedin Mejzini, me qëllim të kryerjes së veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve” dhe “Tregtia e ndaluar”, me role të ndara si anëtarë të grupit kriminal, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë në mënyrë të paautorizuar dhe kanë blerë e shitur mallra, për të cilat nuk kanë pasur autorizim, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.
Sipas PSRK-së, i pandehuri Vesat Imeri, fillimisht i ka siguruar 25 pako me armë të llojit Glock, Austria dhe Sig Suer, nga një person tani për tani i panjohur me nofkën “Doni”, të cilat i ka vendosur në njërën nga zyrat e lokalit të tij në Fushë Kosovë si dhe disa pako me medikamente të llojeve të ndryshme, me përmbajtje të substancave narkotike (metamorfinë) si Tamol XX, të cilat i kanë siguruar të pandehurit Nexhip Gashi dhe Besim Sylejmani.
Prokuroria pretendon se pas disa ditësh, i pandehuri Vesat Imeri, sipas marrëveshjes e thërret të pandehurin F.H. punëtor në lokalin e tij në Fushë Kosovë dhe i thotë që këto pako t’ia jepte personit që do të shkonte t’i merrte, ku edhe postieri i postës “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini, i kishte marrë këto pako dhe i kishte dërguar në objektin e “Sim Logistik”, në fshatin Mazgit, e pas kësaj të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri dhe Nexhip Gashi, i kishin ndarë armët dhe medikamentet nëpër pako me qëllim të dërgimit në vende të ndryshme.
Sipas kësaj aktakuze, Besim Sylejmani fillimisht shkon në depon e “Sim Logistik”, me veturën e tij, ku nga i pandehuri Naim Abrashi, menaxher i kompanisë i merr disa pako dhe takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, në lagjen Ulpiana, të cilit ia jep një pako me medikamente dhe i fut në veturën e tij “Opel Corsa”, ku edhe janë ndarë, mirëpo duke qenë nën vëzhgim nga ana e Policisë së Kosovës, të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, në veturat e tyre u gjenden dhe konfiskohen pako me medikamente, e pastaj në garazhin e banesës së të pandehurit Besim në rrugën “Uran Ajeti” në lagjen Mati 1, i gjenden dhe konfiskohen edhe pako të tjera me medikamente.
Sipas prokurorisë, gjatë kontrollimit në depon e “Sim Logistik” në Mazgit, gjenden dhe konfiskohen gjithsej 99 armë të llojit “Glock-Austria”, një sasi municioni, vlera e të cilave nuk dihet si dhe një sasi medikamentesh, vlera e të cilave përfshirë edhe sasinë e konfiskuar të të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, është rreth 17 mijë euro.
Sipas aktit akuzues, po ashtu nga i pandehuri Armend Ilazi, të pandehurit Besim Sylejmani dhe Nexhip Gashi janë furnizuar me barëra pa banderola, me qëllim që t’i shesin nëpër barnatore të ndryshme, në atë mënyrë që i dyshuar Armend Ilazi, barërat i ka siguruar nga Indire Mehmeti, farmaciste në barnatoren “Bio Pharm” në Ferizaj, e pastaj ua ka shpërndarë të pandehurve Besim dhe Nexhip, me këtë rast si pjesëmarrës të grupit kanë ushtruar veprimtari me qëllim të kryerjes së veprave penale për shkak të përftimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
PSRK-ja pretendon se i pandehuri Vesat Imeri gjatë muajit mars të vitit 2019, i ka siguruar në mënyrë të panjohur 25 pako me armë dhe barëra dhe i ka vendosur në lokalin e tij në Fushë Kosovë, e pastaj sipas kërkesës së tij, këto pako i pandehuri F.H. ia jep vozitësit të kompanisë “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini.
Gjithnjë sipas akuzës, më 10 dhe 15 mars 2019, të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi dhe Naim Abrashi, pasi koordinohen mes vete, bëjnë ripaketimin e pakove të lartpërmendura duke i futur në pako armë dhe barëra, në njërën nga zyrat e kompanisë “Sim Logistik”, me pronar Izedin Mejzinin, e në të cilën punon edhe i pandehuri Naim Abrashi, me qëllim të shpërndarjes së tyre.
Sipas kësaj aktakuze, më 21 mars 2019, i pandehuri Besim Sylejmani, i merr disa pako me barna të llojit Tamol XX në depon “Sim Logistik”, e pastaj takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, të cilit ia jep një pako me barëra me qëllim të shitjes së tyre nëpër barnatore të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj e vende të tjera, mirëpo pasi që të njëjtit ishin duke u vëzhguar nga ana e policisë janë arrestuar, ndërkaq gjatë kontrollit të banesave dhe automjeteve të tyre, janë gjetur sasi të konsiderueshme të barërave të lartpërmendura për shitjen e të cilave nuk kanë pasur autorizim. /BetimipërDrejtësi