Komisioni Qendror Zgjedhor ka nënshkruar marrëveshjen administrative për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme nga vëzhguesit e Bashkimit Evropian.
Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë sot nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, dhe sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Fitim Sadiku.
Kryetarja Daka procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve e ka konsideruar si thelbësor në procesin zgjedhor.
Sipas saj misioni vëzhgues i BE-së ndaj KQZ-së ka dhënë rekomandime serioze.
Daka tha se procesi zgjedhor do të vëzhgohet edhe nga vëzhgues të partive politike dhe shoqëria civile në Kosovë.
Zëvendësshefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri tha se për herë të pesë vjen në Kosovë misioni vëzhgues i BE-së, i cili synon përmirësimin e procesit zgjedhor në vendin tonë.
Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit do të vëzhgohen nga një ekip bazike e cila pritet të vijë së shpejti në Kosovë, shefin e të cilës do ta zgjedhë shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme në nivel qendror mbahen më 6 tetor dhe ato u shpallën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.