Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u shpreh rreth vendimit të marrë në Kuvendin e Kosovës në lidhje me Komisionin Hetimor Parlamentar për energjinë.
Ai këtë e quajti si fitore të demokracisë, transmeton Fol Drejt.
Në një postim në Facebook, Krasniqi u shpreh:
“Sot, në Kuvendin e Kosovës triumfoi demokracia! U ruajt kushtetutshmëria dhe e drejta themelore e opozitës për hetim parlamentar e mbikqyrje të punës së Qeverisë.
Përmes themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, të nisur nga Partia Demokratike e Kosovës e me mbështetje të deputetëve opozitarë, do të zbardhim secilin fakt, do t’i japim përgjigje secilës pyetje dhe do të kërkojmë sqarim për secilin vendim që Qeveria ka marrë muajt e fundit në menaxhimin e krizës energjetike në vend.
Mbi të gjitha, qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë se pse Qeveria i detyroi të paguajnë 100 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike në emër të importit, kur Kosova prodhoi mjaftueshëm energji.
Po ashtu, do të mësojmë se ku shkuan dhe si u shpenzuan mbi 100 milionë euro të cilat u ndanë për të subvencionuar energjinë.
Qytetarët kanë kërkuar llogaridhënie dhe transparencë – ne do të sigurohemi që ata t’i kenë të dyja”.
Vlen të theksohet se gjatë ditës së sotme, opozita në shenjë proteste për mosformimin e këtij Komisioni Hetimor Parlamentar ka goditur tavolinat duke mos lënë kështu që procesi të zhvhillohet si zakonisht.
Me vendim të pozitës dhe opozitës janë formuar dy komisione hetimore./FolDrejt/