Tuneli i Kalimashit është mbuluar nga tymi për shkak të zjarrit që ka përfshirë malin gjatë mbrëmjes së djeshme.
Vatra e vogël e zjarrit mbi tunelin e Kalimashit nisi para 8 ditësh, ndërsa mbrëmë mori përmasa aq të mëdha, sa ishte tepër e vështirë të vihej nën kontroll, transmeton Telegrafi, përcjell FolDrejt.com.
Në vendngjarje ishin forca të ushtrisë dhe të zjarrfikësve, ndërsa në ndihmë iu shkuan dhe forca nga Kosova për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Kreu i Emergjencave, Haki Çako ka folur për situatën e zjarreve mbi tunelin e Kalimashit duke thënë se ka qenë një natë e vështirë, por flakët janë vënë nën kontroll.
Ai tha se po punohet për 3-4 vatra mbi tunel, ndërsa thekson se zonat e banuara nuk janë në rrezik.
Çako tha se po punojnë me të gjitha forcat, të cilat i falënderoi për sakrificën dhe për punën me orë të zgjatur e pa pushim.
Tutje ai shtoi se, “Tashmë jemi në një proces pune intensive, po punohet pasi janë rreth 3-4 vatra mbi tunel dhe në pjesën e malit, i cili krijon dekantimin e tymit dhe problemit që shkakton për shkak të djegies së pyjeve”.