Themeluesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha se që nga rebelimi i qershorit në Rusi, rreth 7 mijë mercenarë nga kompania private ushtarake ndodhen në Bjellorusi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një marrëveshje për t’i dhënë fund kryengritjes së tij jetëshkurtër kundër Moskës më 24 qershor, Prigozhin ra dakord të zhvendoste forcat e tij në Bjellorusi.
Shumica e mercenarëve të zhvendosur ishin të angazhuar në luftën në Ukrainë, ndërsa Wagner dihet gjithashtu se ishte aktiv në shumë pjesë të Afrikës.
Duke folur për Gray Zone, një kanal në Telegram i lidhur me grupin Wagner, Prigozhin tha se 1.500 luftëtarë të tij janë në Afrikë, ndërsa 12 mijë janë “në pushim”.
Përderisa ka raporte të ndryshme për numrin e mercenarëve të grupit Wagner në Bjellorusi, shqetësimet janë ngritur nga Polonia për situatën në zhvillim në kufirin e saj. Polonia vlerëson se këto lëvizje kanë për qëllim destabilizimin e situatës në krahun lindor të NATO-s.
Garda Kufitare e Polonisë sot i bëri thirrje Ministrisë së Mbrojtjes të vendosë 1000 trupa shtesë, duke akuzuar Minskun për orkestrimin e një fluksi tjetër migracioni në BE për të destabilizuar rajonin.
Më herët, Varshava zyrtare tha se Bjellorusia shkeli hapësirën e saj ajrore me helikopterë ushtarakë, një akuzë e mohuar nga Minsku zyrtar.