Kreu i organizatës famëkeqe mercenare ruse Wagner, Yevgeny Prigozhin, pretendon se Kremlini ka ndërprerë çdo kontakt me të.
Prigozhin, i cili prej vitesh njihet si një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, tha të enjten në një mesazh të publikuar në kanalin e tij Telegram se ai kishte ndaluar së përgjigjuri ndaj të gjitha linjave zyrtare të Kremlinit. Kjo ndodhi pasi ai u ankua të dielën se qeveria ruse nuk po u jepte luftëtarëve të tij në Ukrainë municion të mjaftueshëm, raporton Business Insider.
“Për të më detyruar të mos kërkoj municion, ata ndërprenë çdo kontakt me mua nga të gjitha zyrat dhe departamentet”, tha Prigozhin.
“Gjëja më e çmendur është se ata gjithashtu ua pamundësuan agjencive marrjen e vendimeve”, shtoi ai.
Prej një jave Prigozhin i është lutur Kremlinit që t’u japë trupave të tij municion shtesë.
“Po trokas në të gjitha dyert dhe po bëj zhurmë për municione dhe përforcime, për nevojën për të përforcuar krahët tanë”, tha ai të hënën.
“Nëse të gjithë do të ishin të koordinuar, pa ambiciet, gabimet dhe inatet e tyre, nëse të gjithë do të bënin punën e tyre, ne do të kishim bllokuar tashmë forcat e armatosura të Ukrainës. Nëse nuk e bëjmë, të gjithë jemi në telashe”, ka thënë ai.
Agjencia ruse e lajmeve Concord publikoi gjithashtu një letër nga Prigozhin të dielën në të cilën ai pretendon se municionet e premtuara për ushtarët e tij nuk kanë mbërritur kurrë. Ai nuk fajësoi askënd me emër për këtë.
Grupi Wagner i Prigozhin u bë i famshëm për dërgimin e të dënuarve rusë nga burgu në front në këmbim të një shansi për falje dhe mori pjesë aktive në pushtimin rus të Ukrainës. Kjo organizatë paraushtarake po merr pjesë në një sulm të gjatë në qytetin Bakhmut në Ukrainën lindore, i cili u shndërrua në një nga betejat më të përgjakshme të luftës.
Zyra e zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse nuk iu përgjigj kërkesës së Insajderit për koment, transmeton Fol Drejt.