Krijimi i një gjykate komerciale-tregtare është e domosdoshme për Kosovën, pasi kjo do të ndihmonte që lëndët e bizneseve të zgjidhen më shpejt dhe më lehtë. Kështu vlerësojnë njohës të fushës së ekonomisë. Krijimin e kësaj gjykate e mirëpresin edhe përfaqësuesit e bizneseve, të cilët vlerësojnë se krijimi i një gjykate të tillë, do të ishte një sinjal i mirë edhe për investitorët.
Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, thekson rëndësinë e rritjes së kapaciteteve të gjykatave në trajtimin e lëndëve të fushës tregtare, meqenëse aktualisht kjo është barrë e vetëm një Departamenti, në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Jemi në një situatë jo të mirë në raport me bizneset si gjyqësor dhe nuk po arrijmë as për së afërmi kështu si jemi me këtë organizim që e kemi me iu përgjigj nevojave të këtyre bizneseve. Pra, pa dyshim që kjo donë një intervenim nga ana jonë që ta përmirësojmë këtë gjendje. Jemi duke pa shumë shembuj, mendojmë që ndoshta më e mira do të jetë që Republikës sonë do t’i duhej një gjykatë komerciale, dy shkallëshnmëri, ku do të jetë adresë e bizneseve, ku do ta rrisë efikasitetin e punës”, tha Tahiri.
Krijimi i Gjykatës Komerciale mbështetet nga përfaqësuesit e bizneseve. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini , vlerëson se gjykata, do të merrej vetëm me lëndët ekonomike të bizneseve. Në një prononcim për Radio-Kosovën, Shahini thotë se në Gjykatën Themelore, ka mjaftë lëndë të pazgjidhura të bizneseve.
“Ka pas tentativa të ndryshme që kjo gjykatë të jetë në funksion të zgjedhjeve të kontesteve, edhe pse ekziston Gjykata Themelore, ajo ka grumbulluar me mijëra lëndë të pazgjedhura në mungesë të bordit të pavarur, për ankesa dhe parashtresa për të cilën AKB ka kërkuar vazhdimisht që ai bord të funksionalizohet”, tha Shahini.
Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Arian Zeka thotë për Radio-Kosovën, se kjo ka qenë një kërkesë e kamotshme e asociacioneve të bizneseve.
“Duke e ditur sa shumë merr kohë trajtimi i një lëndë të natyrës komerciale, kjo për shkak të kapaciteteve të kufizuara të departmanetit përkatës që ekziston momentalisht në kuadër të Gjykatës Themelore. Shpresoj se ky proces të ketë dinamikën e duhur dhe të përfundoj sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Zeka.
Përfaqësuesit e bizneseve vlerësojnë, se krijimi i një gjykate të tillë, do të ishte një sinjal i mirë jo vetëm për investitorët e huaj, por edhe për investitorët e brendshëm, duke krijuar siguri në të bërit biznes.