Në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të Kosovës e Shqipërisë në Kuvendin e Tiranës, kryeministri Kurti ka uruar shqiptarët me rastin e festës, duke theksuar se janë stërgjyshërit e tyre ata që kanë dhënë gjak, djersë e kapital për atë që e ka emrin Shqipëri, shtëpi e gjithë shqiptarëve.
Duke përshkuar nëpër ngjarje historike, Kurti ka cituar një fragment nga Luigj Gurakuqi për ta theksuar rëndësinë e kremtës së 28 Nëntorit, si gëzim e njëkohësisht edhe si vetëdije për ta bërë më të mirën e atdheut.
Ai njëkohësisht në fjalimin e tij ka përmendur rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës e Shqipërisë.
“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gurë”, u shpreh Kurti në fjalimin e tij.
“Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanë, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjerin, t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku”, shton ai tutje.
Ndërkaq, duke cituar edhe Ukshin Hotin, Kurti nënvizon rëndësinë e unitetit politik, duke pasur parasysh mirëqenien e kombit dhe jo interesin personal.
“Ne bëjmë edhe për të ardhmen, por nderojme të kaluarën që na përbën sot dhe ecim bashkë. Në Kosovë ne i gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake ashtu edhe të këtyre sukseseve të qeverive të tanishme”.
Kurti është shprehur se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj, duke përmendur anëtarësimin në NATO, OKB dhe nisjen e procedurave për anëtarësim në BE, teksa ka shtuar se edhe Shqipëria gëzohet për Kosovën dhe sukseset e saj.
Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti ka përmendur edhe fenomenin e mërgimit, duke thënë se kjo ditë është më së shumti e tyre.
“Sot është kremte, Dita e Flamurit, e nuk dëshiroj të flas gjatë për halle e probleme, por dua t’u dërgoj një mesazh të gjithë atyre që kanë marrë udhën gjithmonë të dhimbshme të kurbetit, kjo ditë është edhe e juaja, e më së shumti e juaja. Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e për familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi e kulture që ata e marrin në shoqëritë e zhvilluara ku shkojnë të jetojnë e të punojnë.”, ka thënë Kurti./FolDrejt/