Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë pjesë e konferencës ndërkombëtare për Siguri Kibernetike “Cyber ZERO”.
Në këtë konferencë, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që ka siguria kibernetike, meqë sipas tij qeverisja dhe ekonomia e digjitalizuara bëhen gjithnjë e më shumë të varura nga mirëfunksionimi i rrjeteve dhe sistemeve të informacioneve.
“Për transformimin digjital ka sfida e rreziqe. Përderisa qeverisja dhe ekonomia e digjitalizuara bëhen gjithnjë e më shumë të varura nga mirëfunksionimi i rrjeteve dhe sistemeve të informacioneve, siguria e hapësirës kibernetike bëhet me rëndësi qenësore për funksionimin e shtetit”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Sulmet kibernetike sot kanë potencial për të shkaktuar dëme me shtrirje të gjërë, duke filluar nga rënia e uebfaqeve, degradimi e ndërprerja e shërbimeve elektronike e deri te cenimi i funksionimit të infrastrukturës kritike dhe rrezikimi i sigurisë kombëtare”.
“Kësisoj në tetor të vitit të kaluar kemi miratuar ligjin për siguri kibernetike, dhe ligji tash është aprovuar në lexim të parë në kuvend. Ky ligj përcakton përgjegjësitë e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe masat për parandalimin e sulmeve kibernetike në vendin tonë”, është shprehur tutje./FolDrejt/