Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se sulmet e mëtejshme kundër KFOR-it nuk do të tolerohen.
Ajo i bëri këto komente pas njoftimit se rreth 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s janë plagosur gjatë protestës së dhunshme të disa qytetarëve serbë para ndërtesës së komunës së Zveçanit.
Ushtarët e plagosur janë nga kontingjenti italian dhe ai hungarez.
“Unë dënoj fuqishëm sulmin ndaj misionit të KFOR-it, i cili preku edhe ushtarë nga kombet e tjera. Kjo që po ndodh, është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme”, shkroi Meloni në Twitter.
Ajo u bëri thirrje autoriteteve kosovare që t’i “shmangin veprimet e njëanshme” dhe kërkoi nga të gjitha palët e përfshira që “të tërhiqen menjëherë dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve”.
“Qeveria italiane është plotësisht e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë”, tha Meloni, teksa shprehu mirënjohje për ushtarët italianë që ndodhen në Kosovë. /REL/