Qytetarë të shumtë janë tubuar në sheshet kryesore të vendeve të rajonit për të pritur ndërrimin e viteve me ndjekjen e fishekzjarreve dhe atmosferës festive përmes programeve muzikore, raporton Anadolu Agency (AA).
Sikurse viteve të tjera, tradicionalisht në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë janë organizuar ndezjet e fishekzjarreve, duke vijuar pastaj edhe programet muzikore.
– Maqedonia e Veriut
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, një numër i madh i qytetarëve pritën ndërrimin e viteve në sheshin “Maqedonia”, të cilët u argëtuan nga ylli i muzikës nga Ballkani, Dino Merlin, si dhe grupe të tjera të tilla si “Gypsy Groove” dhe “Superhiks”.
Festimet e Vitit të Ri në sheshin “Maqedonia”, ku aktivitete të ndryshme janë zhvilluar tashmë që tre javë, janë organizuar nga Qyteti i Shkupit.
Gjatë kësaj periudhë tre-javore, në shesh ka mbizotëruar një atmosferë festive, si dhe rritje e dukshme e frekuentimit të qytetarëve, nga shkaku i shtëpive prej druri “Winterland”, ku gjatë gjithë kohës janë ofruar suvenire të punuara me dorë, libra, dekorime dhe dhurata të ndryshme për Krishtlindje, si dhe specialitete gastronomike dhe pije të ngrohta.
– Shqipëria
Nata e ndërrimit të viteve është pritur me festime në qytetet Shqipërisë, ku institucionet kanë organizuar edhe koncerte dhe aktivitete të tjera.
Qytetarët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë kanë pritur ndërrimin e viteve në shtëpitë e tyre, por edhe në sheshet e qyteteve të vendit.
Ndërkohë, mijëra qytetarë kanë festuar në qendër të Tiranës, mes koncertit dhe shfaqjes së fishekzjarrëve.
Bashkia e Tiranës me rastin e Vitit të Ri 2020 ka organizuar spektaklin e fishekzjarrëve si dhe koncert me këngëtarë shqiptarë në Sheshin “Skënderbeu”, duke krijuar atmosferë festive në qendër të kryeqytetit.
Në Tiranë dhe në qytete të tjera institucionet kanë stolisur me drita të shumëllojshme rrugët dhe sheshet, ndërsa edhe qytetarët kanë stolisur shtëpitë e tyre, duke krijuar atmosferë festive.
– Kosova
Edhe këtë vit në Kosovë shumica e qytetarëve si zakonisht e kanë pritur në shtëpitë e tyre me familjarë Vitin e Ri.
Viteve të fundit në Kosovë nuk mungojnë edhe organizimet në sheshet e qyteteve kryesore të vendit, veçuar ato në kryeqytet, në Prishtinë.
Në Prishtinë, në hapësirën që njihet si “Prite n’shesh” programi u dha qytetarëve performancë të ndryshme muzikore, teksa shoqëroheshin me pije të ngrohta nga shtëpizat e vendosura në dy sheshet kryesore, atë “Skënderbeu” dhe sheshin “Zahir Pajaziti”.
Vala Mulliqi Duo dhe DJ James u përkujdesen për argëtimin e njerëzve që zgjedhin të kalojnë ditën në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa u mbajt edhe një shfaqje artistike me babadimra.
Ndërrimi i viteve shënon momentin kur qiejt e qendrave kryesore ndriçohen si zakonisht nga fishekzjarrët e shumta të lëshuara nën organizimet komunale si dhe nga qytetarët e shumtë, të cilët vazhdojnë pas kësaj ore të dalin në sheshe për ta vazhduar festën.