Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën gjermane “Sudeutsche Zeitung”, hedh poshtë akuzat e Brukselit dhe Uashingtonit dhe i akuzon partnerët perëndimorë për naivë në marrëdhëniet e tyre me Beogradin.
Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë më të tensionuara se sa kanë qenë në vite, Uashingtoni po paralajmëron se kriza mund të përshkallëzohet në një konflikt rajonal dhe Bashkimi Evropian po kërcënon Kosovën me sanksione. Kështu e përshkruan Sudeutsche Zeitung situatën aktuale, shkruan mediumi serb N1, që prej shumë njerëzve cilësohet si opozitar në Serbi.
Gazetari Tobias Zick u shpjegon lexuesve gjermanë se “përpjekjet ndërmjetësuese të BE-së dhe SHBA-së kanë për qëllim të bindin Prishtinën që të formojë Unionin e Komunave Serbe, dhe Beogradin që de fakto ta njohë pavarësinë e Kosovës”, raporton Deutsche Welle.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mars ka paraqitur një draft me kushtet kryesore: “Duhet të njihet kushtetutshmëria e Republikës sonë. Komuniteti i bashkive të mos ketë pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të krijohet nivel shtesë i qeverisjes. Por, sapo përmendet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Vuçiq nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për të”.
“Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”
“Kur e takoj Vuçiqin”, thotë Kurti, “më duket gjithmonë se dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur i tha ‘Po’ marrëveshjes së prezantuar nga BE-ja në Bruksel, të cilën në fund nuk e nënshkroi”, tha Kurti.
Vërejtjes së një gazetari gjerman se diplomatët perëndimorë e konsiderojnë partner të vështirë dhe e akuzojnë si kokëfortë, Kurti i përgjigjet: “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”.
Kurti më pas shton se ka dëgjuar “miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” për shtyrjen e zgjedhjeve, si dhe për zhvendosjen e betimit të kryetarit në një vend tjetër, “për të shmangur skenat triumfuese”. Por, ai pyet, “a duhet të shkojë kryetari në zyrën e tij – apo duhet ta bëjë punën e tij përmes Zoom-it?”
I pyetur se si e vlerëson faktin se “Bashkimi Evropian e kërcënon Kosovën me sanksione, ndërsa është jashtëzakonisht i butë ndaj Beogradit”, Kurti përgjigjet: “Miqtë tanë në BE dhe SHBA kanë pak pritshmëri nga Beogradi. Kjo është arsyeja pse çdo veprim i tyre pozitiv është i mbivlerësuar dhe i fryrë. Në të njëjtën kohë, ata kanë shpresa të mëdha për Serbinë në planin afatmesëm. Një politikë e tillë krijon probleme sigurie për të gjithë fqinjët e Serbisë”.
Gazetari gjerman thekson se, “sipas një interpretimi, BE-ja dhe SHBA-ja duan të përdorin politikën e tyre me qëllime të mira për të ndarë Vuçiqin nga lidhjet e tij të ngushta me Putinin dhe kështu ta lidhin atë më afër tij”.
Kryeministri i Kosovës vlerëson se diçka e tillë nuk mund të funksionojë një autokrat”.
“Një autokrat do ta shohë çdo akt bujarie ose tolerance si një shenjë frike ose dobësie”. Prandaj, thotë ai, “duke menduar se koncesionet do ta joshin Vuçiqin të kthehet drejt Perëndimit – do të arrihet pikërisht e kundërta”.
“Nuk kemi arritur shumë”, thotë Albin Kurti për dialogun e deritanishëm: “Pas disa orë bisedimesh për marrëveshjen bazë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Borrell më 18 mars deklaroi: “Ne kemi nje marreveshje.’ E më 24 prill, Vuçiq në një konferencë për media deklaroi se marrëveshjen e ka pranuar vetëm si koncept e jo si përmbajtje. Më vonë ai informoi Berlinin, Parisin dhe Uashingtonin se synonte të zbatonte vetëm një pjesë të marrëveshjes”, thotë kryeministri Kurti.
Dhe në fund, në pyetjen se a është i mundur besimi i vërtetë mes tij dhe Beogradit, duke pasur parasysh se si lider studentor ka qenë i burgosur në Serbi për një kohë, Albin Kurti i përgjigjet se “nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia të na njohë si shtet i pavarur dhe derisa të përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”. /FolDrejt/